
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agimi Ismaili u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjithë Prokurorive të rretheve ku kërkon një bashkëpunim për interes të sigurisë publike. Gjithashtu për dijeni shkresa u është dërguar edhe prokurores së Përgjithshme Arta Marku dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Ismaili shkruan ndër të tjera se gjëja më shqetësuese është ajo që lidhet me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore me objekt “njohjen e ditëve të punës në masën e dënimit”. Sipas drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, prokurorët e rretheve marrin vendime në kundërshti me ligjin nr.8328 duke njohur ditët e punës dhe duke u zbritet nga dënimi që ata kryejnë.
Kështu Agim Ismaili ka përmendur edhe rastin e lirimit të parakoshëm të Lulzim Cakës, që u cilësua si një veprim pa dashje. Gjithashtu para kohe janë liruar edhe disa të burgosur të tjerë.
Ismaili kërkon që të shihen me përpikmëri veprimet që kryejnë prokurorët e rretheve pasi duhen shmangur rastet e lirimit të parakohshëm duke abuzuar me llogaritjen e dënimeve.



