Restaurimi i ish-tregut të Vlorës ka lënë dhjetëra tregtarë pa vend pune dhe pa zgjidhje konkrete. Në emisionin “Xhadat” në MCN TV, tregtarët dhe banorët denoncuan se prej muajsh janë detyruar të largohen nga tregu, ndërsa alternativat e ofruara nga bashkia nuk plotësojnë kushtet minimale për tregtim.
Banorët u shprehën se zona e tregut është kthyer në një “shtetrrethim”, ku policia nuk lejon më hapjen e qepenave apo zhvillimin e aktivitetit tregtar.
“Ndërtime bëhen në gjithë botën, por nuk mund t’i përzësh njerëzit pa krijuar më parë kushtet për një treg të ri”, u shpreh një prej tregtarëve.
Ekipi i “Xhadat” shkoi edhe në lagjen “Çole”, ku bashkia ka zhvendosur një pjesë të tregtarëve. Sipas tyre, aty janë vendosur vetëm katër tezga të reja dhe kushtet janë të papërshtatshme.
Tregtarët thanë se tezgat janë të pambuluara, nuk mbrojnë as nga dielli dhe as nga shiu, ndërsa mungesa e klientëve e bën të pamundur mbijetesën ekonomike.
Për të kërkuar sqarime, gazetari Ersid Karaj iu drejtua Bashkisë së Vlorës më 18 maj 2026, me pyetje konkrete mbi mungesën e një tregu të ri dhe zgjidhjen për tregtarët. Sipas emisionit, as kryetarja dhe as përfaqësues të tjerë të bashkisë nuk pranuan të prononcoheshin, ndërsa përgjigjja u kërkua vetëm me shkrim.
Më 22 maj, gazetari organizoi një takim së bashku me tregtarët në ambientet e bashkisë. Ata kërkuan takim me kryetaren Brunilda Mersini, por punonjësit deklaruan se ajo ndodhej jashtë shtetit.
Gjatë debatit, një qytetare akuzoi bashkinë se i kishte arrestuar bashkëshortin vetëm pse kishte protestuar, ndërsa një tjetër tha se i ishte “hequr buka e gojës”, ndërsa përpiqej të mbante fëmijët në universitet.
Situata u tensionua më tej kur punonjëset e informacionit u larguan nga ambienti, ndërsa gazetari dhe tregtarët u drejtuan te hyrja kryesore e bashkisë për të kërkuar takim me drejtuesit.
Më pas, një debat i gjatë u zhvillua me nënkryetarin e bashkisë, Ilir Hasani. Ai deklaroi se gjithçka po bëhej sipas ligjit dhe se tregtarët do të riktheheshin pas përfundimit të projekteve, ndërsa përmendi si alternativa tregun në Jallias të Nartës dhe zonën e “Çoles”.
Por tregtarët kundërshtuan duke deklaruar se nuk janë konsultuar dhe se vendet e propozuara nuk ofrojnë kushte minimale.
“Xhadat” verifikoi edhe tregun e shumicës në Jallias të Nartës, ku sipas pamjeve, ambienti rezulton ende i papërfunduar dhe pa aktivitet tregtar. Një prej përfaqësuesve të tregtarëve, Vladimir Kamberi, tha se aty “nuk kishte asgjë të përgatitur” dhe se kushtet nuk lejonin zhvillimin normal të tregtisë.
Edhe tregu pranë stacionit të trenit, i propozuar si alternativë, u denoncua nga tregtarët për mungesë infrastrukture dhe pluhur të shumtë.
Sipas tyre, asnjë prej hapësirave të ofruara nga bashkia nuk është funksionale, ndërsa dhjetëra familje vijojnë të mbeten pa të ardhura dhe pa një zgjidhje konkrete.



