
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të shtyjë afatin për ndalimin e grumbullimeve në vende të hapura dhe të mbyllura, për shkak të rritjes së shifrave nga koronavirusi.
Afati për ndalimin e grumbullimeve në vende të hapura apo të mbyllura, shtyhet deri në datën 20 shtator
Kjo masë ishte në fuqi deri në datën 6 shtator por është zgjatur deri në fillim të javës së ardhshme.
Urdhri është firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe është publikuar në fletoren zyrtare.
Vendimi
“Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID -2019, si edhe në zbatim të vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirusi i ri.
URDHËROJ: Në urdhrin nr.633, datë 17.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura” , të ndryshuar, bëhet ndryshimi si
vijon: 1. Në pikën 1 të urdhrit , togfjalëshi “deri në datën 6.9.2021” zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datën 20. 9.2021”.




