Kalimi i emigrantëve për vite me radhë në Europë, përveç detit Mesdhe është realizuar edhe nga një rrugë tjetër. Kalimi përmes Ceutës, një rajon autonom i Spanjës, ku vetëm 14 kilometra ndajnë Afrikën nga Europa në pikën më të ngushtë, në Ngushticën e Gjibraltarit.
Që nga viti 2005, një rrethim teli prej 6 metrash lartësi është ngritur përgjatë dy qyteteve (Ceuta dhe Melilla) për të penguar kalimin e emigrantëve drejt Europës.
Mirëpo, Spanja ka njoftuar se dëshiron të heqë rrethimin me tel, shumë i rrezikshëm për të gjithë ata emigrantë që përpiqen ta kapërcejnë dhe në vend të tij të vendoset një murë.
Muri mendohet të ndërtohet në një lartësi prej rreth 10 metrash dhe do të jetë muri më i lartë i vendosur kundër emigrantëve në botë, madje më i lartë se ai që presidenti amerikan Donald Trump ka ndërtuar përgjatë kufirit me Meksikën (9.1 metra i lartë).
“Ne vendosëm të heqim rrethimin me tela, pasi shumë njerëz në tentativë për ta kapërcyer atë u plagosën”, tha kryeministri Pedro Sanchez.
Mësohet se punimet tashmë kanë filluar dhe brenda disa muajve muri pritet të përfundojë. Ndërtimi i tij sipas llogaritjeve do të kushtojë 17 milionë euro.
Në pjesën e sipërme të murit, në vend të telave me gjemba, synimi është të vendoset një cilindër çeliku me një diametër mbi gjysmë metri, i cili do pengojë kalimin e emigrantëve në pjesën tjetër.
Muri do të kalojë kufirin mes Marokut dhe Spanjës duke kapërcyer 8 km në Ceuta dhe 12 km në Melilla. Pjesa e poshtme e murit do të përbëhet nga dru panje, rreth 6 metra, ndërsa pjesa e mbetur do të jetë prej çeliku.
Vendimi i qeverisë spanjolle ka ngjallur shumë polemika, pavarësisht faktit se rrethimi me tela me gjemba do të hiqet, por përsëri muri me një lartësi prej 10 metrash, do të ishte vdekjeprurës njësoj dhe përkëdo që do tentonte të ngjitej për ta kapërcyer.
Një aktivist nga Digmun Ceuta, i cili bashkëpunon me Alarm Phone, organizata që merren me të drejtat e emigrantëve në zonë, theksoi se “qeveria spanjolle me justifikimin e rrezikut të infektimit me Covid, ka mbyllur dy pikat kufitare për një kohë të papërcaktuar si në Melilla dhe në Ceuta.
Mësohet se përveç emigrantëve të vendosur në kampet e përkohshme të refugjatëve, në Ceuta ka edhe qindra fëmijë të mitur nga Maroku dhe Algjeria të cilët janë bllokuar në zonën e portit. Pastaj, është drama e punëtorëve marokenë që punojnë në zonat autonome të Spanjës. Jam duke menduar në veçanti për punëtorët dhe gratë që transportojnë mallra. Madridi kurrë nuk ka qenë aq brutal sa tani në Ceuta dhe Melilla”.
Pavarësisht polemikave, qeveria spanjolle vazhdon me politikën e saj. Qëllimi, në fakt, është të dekurajojë ardhjen e paligjshme të emigrantëve në Spanjë, një problem që përsëritet çdo vit, veçanërisht në muajt e verës.
Dy vjet më parë, në korrik të 2018, rreth 600 emigrantë arritën të shmangnin kontrollet dhe të kapërcenin rrethimin me tela. Nga ajo kohë rrethimi ka qenë i pajisur me një sistem të madh mbikëqyerje, i përbërë nga 66 kamera, disa prej të cilave me zbulim termik, të kompletura me sensorë lëvizjeje dhe identifikim të fytyrës. Forcimi i mëtejshëm i strukturës ndihmoj në zvogëlimin e ardhjes së emigrantëve në Spanjë. Në vitin 2019 pati një rënie të madhe të emigrantëve, rreth 41 për qind në krahasim me vitin 2018.



