Pas Ujësjellësit të Tiranës, edhe Emergjencat Civile kanë dhënë alarmin për rrezikun nga zjarret për shkak të temperaturave që larta që pritet të shoqërojnë vendin.
Sipas parashikimeve të Instituteve Meteoroligjike, në ditët në vijim niveli i temperaturave do të rritet duke arritur mbi 40 gradë celcius.
Kjo situatë shton premisat për të patur zjarre masive, sidomos në zona pyjore dhe kullota, të cilat mund të vijnë jo vetëm si rezultat i pakujdesive njerëzore, por edhe nga vetëndezja e gjetheve të thata apo barërave në territor kodrinor.
Sipas Emergjencave Civile, për shkak të kalimit në pronësi të bashkive të mbi 75% të sipërfaqeve pyjore dhe kullotave, drejtuesit lokalë kanë detyrim ligjor për marrjen e masave për parandalimin e zjarreve, duke u bërë thirrje komunitetit për rritjen e përgjegjësisë qytetare në mbrojtje të sipërfaqeve pyjore.
Një thirrje shkon dhe për fermerët e barinjtë duhet të bëjnë kujdes të shtuar, duke mos përdorur zjarrin për pastrimin e parcelave bujqësore apo kullotave.
Sipas sinoptikanëve, rreziku për zjarre gjatë kësaj periudhe vazhdon të jetë i pranishëm në të gjithë vendin duke arritur një maksimum në datat 29 qershor dhe 1 korrik. Më të rrezikuara janë qarqet: Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve vendore, Prefektëve dhe Kryetarëve të Bashkive të mbledhin Komisionet e Emergjencave Civile, për të përcaktuar zonat me risk të lartë zjarri në territoret e tyre, si dhe të marrin masat e duhura për parandalimin e situatave emergjente.
Strukturat e shërbimit të emergjencave civile dhe mbrojtjes nga zjarri deklarojnë se janë në gadishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe biznesit, për çdo problem që lidhet me situatat emergjente të shkaktuara nga zjarret.



