
Luanët e Kopshtit Zoologjik të Tiranës më në fund do t’i shpëtojnë atij që mediat britanike e përshkruan para disa javëve si “burgu i kafshëve”.
Organizata “Four Paws” (Katër putrat) ia ka dalë në përpjekjet e saj për t’i zhvendosur kafshët e egra jashtë Shqipërisë. E përballur disa herë me refuzimin e autoriteteve për dokumentacionin e nevojshëm që bën të mundur transferimin e luanëve, “Four Paws” ka arritur mesa duket t’i sigurojë këto të fundit, pasi sot është bërë largimi i luanëve nga Kopshti Zoologjik, për t’u transferuar në Holandë.
Pak javë më parë, mediat britanike, “Daily Mail” dhe “The Mirror” u kushtuan hapësirë kafshëve të Kopshtit Zoologjik të Tiranës dhe kushteve të mjerueshme në të cilat ato mbahen.
“Tre luanë po mbahen ndaras nga njëri-tjetri, në disa dhoma të lagështa prej pesë metrash në sytë e të cilëve duket dëshpërimi. Zyrtarët thanë se kjo duhet të ishte një situatë e përkohshme, por transferimi tyre në kushte më të mira ka kërkuar kohë”, shkruante “Mirror” tre javë më parë.



