Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, thotë se nuk priten përmbytje, pavarësisht sasisë së madhe të reshjeve të rëna ditët e fundit. Nga Oboti, zonë që përmbytet në stinën e dimrit, Peleshi tha se reshjet në 2-3 ditët e ardhshme pritet të jenë në nivel mesatar, por ato nuk do të rrezikojnë përmbytjen e zonave fushore në veriperëndim të vendit. Peleshi theksoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë.
Dy - tre ditët e ardhshme presim intensitet mesatar në pjesën veriore dhe jugperëndimore të vendit. Në veri është kaskada e Drinit e cila kur reshjet vazhdojnë gjatë edhe kur ujërat arrijnë vlerën maksimale të liqeneve ato kërcënojnë dhe rrezikojnë përmbytje të mëdha. Në jugperëndim kemi lumin e Vjosës, është një lumë i egër në raste të reshjeve të mëdha rrezikon të dalë nga shtrati. Sot kemi nivele me rezervë në kaskadën e Drinit, në liqenin e Fierzës është pothuajse 25 metra nën nivelin e pikut, ka rezerva për disa ditë reshje, se çfarë do ndodhë më vonë ne do të jemi në komunikim. Këto 2 - 3 ditë nuk do të kemi përmbytje të shtuara për shkak të shkarkimeve të detyruara siç ndodh në disa raste. Hyjmë në stinë të vështirë të përmbytjeve, hyjmë me rezervë. Reshje do të ketë edhe në pjesën jugperëndimore në lumin e Vjosës, në pjesën e Greqisë ku reshjet janë të mëdha për disa ditë rresht, ato rezultojnë me rritje të nivelit te Ura e Mifolit , mund të kemi dalje në rast se do të jetë intensitet i lartë. Të gjitha strukturat janë në drejtim të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë të gatshme, kështu duhet të jenë edhe prefekturat, u bëj thirrje për gatishmëri të gjithëve.



