
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur sot nga afër procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Bregut të Lumit, nga ku ka bërë të ditur se ekipet janë në terren me shtatë njësi të tilla lëvizëse vaksinimi.
Në këtë ditë të parë të muajit Gusht, me ekipet tona të mjekëve e vaksinatorëve jemi në terren me 7 njësi të lëvizshme, për të rritur aksesin e qytetarëve për vaksinimin anticovid
Manastirliu theksoi se fushata e vaksinimit derë më derë po vazhdon, për të shkuar tek çdo qytetar që e ka të pamundur të paraqitet pranë qendrave shëndetësore.
Fushata e vaksinimit vazhdon, derë më derë për të gjithë ata qytetarë që nuk e kanë dot të mundur që të shkojnë dhe të aksesojnë qendrën shëndetësore, pra sistemi shëndetësor apo strukturat e shëndetësisë, shkojnë tek qytetarët, për vijuar dhe për t’u mundësuar atyre mbrojtjen nga COVID-19. Janë 7 njësi të lëvizshme vaksinimi në të gjithë Shqipërinë me ekipet tona. Me shumë se 150 punonjës të shëndetësisë, vaksinatorë tanë, mjekë, të cilët janë angazhuar për të bërë të mundur rritjen e mbulesës vaksinale.
Duke vënë fokusin tek ndërgjegjësimi dhe organizimi për vijimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu bëri me dije se qytetarët mund të përdorin numrin jeshil falas 0800 40 40 për të bërë kërkesë që të vaksinohen përmes njësive të lëvizshme në terren.
Ministrja Manastirliu bëri me dije se në sajë të kontratës që qeveria shqiptare ka lidhur me kompaninë “Pfizer”, do të vijojë furnizimi me vaksina anti-COVID.



