Eksperti i çështjeve të arsimit, Albano Zhapaj të premten është shprehur se protokolli i miratuar nga Ministria e Arsimit kundër virusit Covid-19 është i pakuptueshëm, kjo për shkak të mënyrës së tij të hartimit.
I ftuar në studion e lajmeve në televizionin TvT, Zhapaj theksoi se stafi mësimor duhet falenderuar për punën e madhe që po bëjnë në këtë kohë pandemie, kjo edhe për shkak të merakut që kanë për vetveten por edhe për përgjegjësinë e madhe që kanë për fëmijët, pasi protokolli kundër koronavirusit është i ngjashëm me një protokoll ushtrie.
“Është bërë një protokoll sikur ti bën një protokoll ushtrie, ndërkohë aty nuk kemi të bëjmë me ushtarë por me fëmijë. Dëshira e të cilëve për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin i kalon kufijtë që vihen përmes këtij protokolli”, tha ai.
Zhapaj është i mendimit se ajo çfarë po ndodh në shkollë është një terr informativ i vëretë ku askush, përveç fëmijëve dhe prindërve të tyre, e di se çfarë po ndodh aty.
“Pra, të vërtetën absolute apo relative ne po e mësojmë nga fëmijët tanë”, tha ai.
Zhapaj, vuri në dukje se fëmijët, ndoshta me të vërtetë orën e mësimit e zhvillojnë me maskë, duke mbajtur edhe distancën e duhur nën praninë e mësuesit, por kur dalin nga klasa ata heqin maskat dhe qëndrojnë në grupe me bashkëmoshatarët e tjerë.
“Tek shkolla “Kosova” që po kaloja, unë pashë që fëmijët që kishin dalë në oborrin e shkollës, madje edhe polici që po i ruante tek porta e shkollës ishte pa maskë. Fëmijët i mbajnë maskat, por i mbajnë varur”, tha ai.
Për ekspertin e çështjeve arsimore kjo situatë që po shihet çdo ditë në shkollat e vendit tregon se po shikohet një tendencë formale përkujdesjeje, pa e vrarë aspak mendjen se çfarë po ndodh jashtë mjediseve të shkollave.
Gjatë intervistës, Zhapaj foli edhe për rolin e Ministrisë së Arsimit në periudhën e pandemisë dhe për masat e marra prej saj.
Ai theksoi se përgjatë këtyre viteve ministria nuk ka bërë asgjë të mirë, madje shkatërroi edhe atë pak të mirë që kishte mbetur nga arsimi.
“Por, falë Zotit kemi mësuesit tanë të përgjegjshëm, të cilët respektojnë dhe veprojnë në bazë të ndërgjegjës së tyre personale dhe etikës profesionale”, tha ai.



