Aktivisti nga “Portali Studentor” Gevio Tabaku tha në emisionin “Fact Check” se Shqipëria është kthyer për italianët në një parajsë për dhënie diplomash false.
“Asnjëherë s’u janë përgjigjur studentëve. E shoh të papranueshme marrjen e këtyre dhuratave dhe favorizimin e këtij universiteti. Janë disa shtete që funksionojnë si parajsa fiskale. Shqipërinë e kanë kthyer italianët në një parajsë në dhënie diplomash. Parajsa fiktive e dijes, distopia më e madhe që mund të ishte. E kthen Shqipërinë shumë hapa pas. ASCAL-i ka për detyrë të sigurojë jo vetëm cilësinë por edhe shkeljet nga institucionet e tjera që kanë licencë në Shqipëri. Por në këtë rast s’e kanë bërë pasi para sigurimit të cilësisë, kanë vendosur çantat e shtrenjta Luis Vuitton. Besoj patjetër dosjen që ka shkuar në gjykatë. Jam i bindur që nga ana e shtetit shqiptar s’po bëhet sa duhet për garantimin e cilësisë në arsimin shqiptar”.
Ndër të tjera Tabaku thotë se administratorët italianë të universitetit, mund ta kenë fshehur faktin e falsifikimit të disa prej diplomave, për rektorët dhe trupën akademike. Tabaku thotë se rektorët kanë firmosur diplomat e rregullta, ndërsa ato që kanë qenë për shit-blerje u është falsifikuar firma.



