Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin prej mesditës së djeshme kanë shkaktuar probleme të shumta me furnizimin me energji elektrike në të gjithë Qarkun e Lezhës.
Në një raportim për MCN Live, gazetari Juli Simoni bëri me dije se edhe pse sasia e reshjeve të rëna konsiderohet e papërfillshme, ajo ka mjaftuar për të lënë në errësirë dhjetëra fshatra dhe lagje të qytetit.
Gazetari renditi zonat e prekura në Bashkinë e Lezhës, duke theksuar se mungesa e energjisë nuk ka kursyer as qytetin, ku për rreth një orë në mëngjes nuk ka pasur drita, ndërsa grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
Pa energji janë Fideri i Kallmetit, me fshatrat Kallmet, Troshan, Blinisht, Piraj, Fishtë dhe Krajen; Fideri numër 7 në pjesën e lagjes 'Nënë Tereza' të qytetit të Lezhës; dhe Fideri numër 9 që furnizon zonën e Ishull-Lezhës, pjesën e Vainit, si dhe lagjen 'Shehër'. Probleme ka patur në orët e mëngjesit edhe në një pjesë të qytetit, madje edhe në qendër të tij, ku për rreth 60 minuta nuk ka pasur energji ditën e sotme.
Më tej, Juli Simoni informoi se situata paraqitet problematike edhe në dy bashkitë e tjera të qarkut, Mirditë dhe Kurbin, ku disa fshatra dhe zona vijojnë të kenë ndërprerje.
Probleme me energjinë raportohen edhe në Mirditë, ku janë pa energji elektrike fshatrat Prosek, Perlat, Malaj, Fang, Katund i Vjetër dhe Rrasfik, ndërsa edhe atje grupet e punës po punojnë për normalizimin e situatës. Ndërkohë që edhe në Bashkinë Kurbin ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në zonën e Milotit.
Në përfundim të raportimit të tij, gazetari vuri theksin te rrjeti elektrik tejet i amortizuar dhe mungesa e investimeve efikase, duke e cilësuar këtë situatë si një "gangrenë" që rëndon mbi qytetarët dhe bizneset.
Është një situatë që përsëritet shpeshherë në zona të ndryshme, kryesisht në Bashkinë e Lezhës, për shkak të rrjetit tërësisht të amortizuar, apo edhe aty ku ka pasur investime, efikasiteti është mjaft i ulët dhe nuk kanë dhënë zgjidhje përfundimtare të këtyre problemeve, të cilat janë kthyer në një gangrenë për qytetarët, por edhe për bizneset. Të shohësh në vitin 2026 që qyteti i Lezhës të gdhihet ditën e sotme nën zhurmën e gjeneratorëve, duket si diçka e papranueshme.
