Olimpiadat e matematikës, u rikthyen në vëmendjen e opinionit publik nga 15-vjeçari Loris Qosja i cili u rendit i pari në botë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës për klasat e 9-ta, ndërsa kjo nxiti dhe një debat për mungesën e financimeve nga shteti.
Kryetari i shoqatës shqiptare të matematikës Adrian Naço në emisionin “MCN Informacion” ngriti shqetësimin e mungesës së financimit nga shteti.
Institucioni i vetëm zyrtar në Shqipëri është Ministria e Arsimit, nëpërmjet Qendrës së Shërbimeve Arsimore që organizon olimpiadën kombëtare, e para në nivel shkollash, e dyta në nivel qarku dhe më tej në nivel kombëtar. Mbas fazës së tretë shoqata shqiptare e matematikës koordinon për përzgjedhjen e nxënësve që do të marrin pjesë në olimpiadat ballkanike për moshat deri në klasat e nënta, ata që janë drejt përfundimit në shkollën e mesme dhe olimpiada për studentët e bachelorit jo më shumë se viti i dytë.
Më prestigjiozja është olimpiada ndërkombëtare e matematikës, e cila njihet zyrtarisht dhe marrin pjesë 130 shtete. Zhvillohet në vende të ndryshme. Marrim zyrtarisht pjesë në olimpiadat ballkanike, europiane dhe ndërkombëtare. Pas olimpiadës kombëtare bëhet testimi i vazhdueshëm i ekipit kombëtar. Kemi pasur bashkëpunim me ministrinë, kemi pasur mbështetje të pjesshme ballkanike, por këto vitet e fundit nuk kemi pasur mbështetje për ekipet tona kombëtare në garat ndërkombëtare.
Deri rreth viteve 2010 ka patur mbështetje nga Ministria e Arsimit për shpenzimet e udhëtimit për ekipet kombëtare, pastaj kemi pasur dy vite vetëm financim të pjesshëhm. Ndërkohë për gjithë shpenzimet e ekipit, kanë qenë vetë ekonomitë familjare ta mbulojnë dhe shoqata mundohet të gjejë sponsor dhe kompani që të sigurojnë në afatgjatë financim.



