
Mjeku infeksionist, Tritan Kalo ka analizuar situatën epidemiologjike në vend. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në Facebook, Kalo risjell në vëmendje betejën e përditshme të bluzave të bardha në luftë me pandeminë Covid.
Gjithashtu ai ndalet edhe tek procesi i vaksinimit, duke theksuar se vaksina mbetet arma jetë shpëtuese.
Kalo nuk veçon vaksinat në më mbrojtëse apo ato më pak mbrojtëse, por thotë se cilido qoftë emri i tyre sërish mbeten vaksina, një nxitëse e mbrojtjes sonë imunitare për të mos u infektuar nga koronavirusi.
Ndër rreshta, nuk mungon as kritika për reagimet që kundërshtojnë aplikimin e vaksinave.
“Pfizer-Biontech, Moderna, Oxford-Astrozeneca, Sputnik V, Sinovac, etc, cilido qoftë emri i tyre ato janë dhe do të mbeten thjesht një vaksinë. Një nxitëse e mbrojtjes sonë imunitare për të mos u infektuar nga ky virus jetëlëndues e jetëmarrës, ose për ta kaluar sëmundjen në një formë më të lehtë e të përballueshme nga organizmi ynë.
Politikë antivaksinale në këto kohë mundet të bëjnë vetëm gjithollogët mëndjegllabëruar nga ethet e “pordhitikës”, nga ethet për “pusht-shtet”, nga “pangopësia” e nxitur në këto 30 vite, kur “i pakdituri, i pakvlerti, i pabuksi e ish-brekëgrisuri” i djeshëm, duke përftuar nga arroganca e korrupsioni i pusht-shtetit demonkratik sot të sheh me qesëndi nga “piramida” e pasurive kleptokratike dhe jo meritore…
Ata/Ato që nuk kanë mjekuar një të sëmurë të vetëm me Covid-19, apo shumë-shumë pak prej tyre kudo në botë edhe te ne, na bombarduan me gjthollogjinë e tyre të papërgjegjshme dhe dëmprurëse për triumfin e jetës ndaj vdekjes së shkaktuar prej kësaj “flame mbarëbotërore””, shkruan Kalo.



