Mund të jetë i vogël, por fshati Pinor në një cep të largët të Spanjës veripërindimore është i njohur në të gjithë vendin për bërjen e arkivoleve, ndërsa vdekjet e shumta për shkak të koronavirusit kanë dyfishuar kërkesat për nëntë punishtet e fshatit.
Spanja po përjeton një nga shpërthimet më të egra të virusit në botë, i cili ka vrarë më shumë se 18 mijë e 500 persona në vetëm dy muaj.
Për kryetarin e komunës, Jose Luis Gonzalez, virusi ka rritur sasinë e punës tek ata që merren me biznesin e arkivolëve në fshat, i cili ka mbi 1 mijë banorë.
“Që kur filloi kriza ne vumë re një dyfishim të kërkesave për arkivole”, i tha ai AFP-së.
Në biznesin që zotëron sot, të cilin e trashëgoi nga i ati, Gonzalez vuri re se punëtorët e punishtes, duhej të prodhonin rreth 400 arkivole në muaj, kur ata në periudha të tjera arrinin të prodhonin afërsisht gjysmën e këtij numri.
Me numrin e viktimave që rriten çdo ditë, industria e agjencive funerale në Spanjë ka rënë në krizë, pasi importet e arkivolëve që vinin nga Kina janë ndaluar.
Gjatë këtyre ditëve, prodhuesit e arkivolëve të fshatit Pinor, po marrin kërkesa nga e gjithë Spanja.
Për të përmbushur kërkesat e shumta, punëtorët e fshatit janë detyruar të shpejtojnë dhe ta thjeshtojnë punën, për të rritur sa më shumë sasinë e prodhimit të arkivolëve.
“Ne po punojmë shumë për orë të tëra për të prodhuar sa më shumë arkivolë. Cilësia e tyre është thelbësore, megjithatë ata janë të thjeshtë, pasi u mungojnë disa zbukurime të zakonshme që bëhen me mermer ose qelq”, tha Gonzalez.



