Shirat intensive që kanë rënë 48 orët e fundit kanë shkaktuar probleme në tokat bujqësore në Lushnje.
Më e rënduar duket situata në fushat e Terbufit ku uji ka përmbytur disa hektarë tokë me të mbjella.
Kanalet e para dhe të dyta janë në nivelet maksimale ku në disa prej tyre ka edhe dalje nga shtrati.
Fermerët shprehen se dëmi është shumë i lartë, pasi të mbjellat e tyre po shkojnë drejt kalbëzimit.
Edhe pse hidrovoret po punojnë me kapacitet të lartë uji nuk është larguar nga këto toka.
Fermerët i druhen shtimit të sipërfaqeve të përmbytura me vazhdimin e reshjeve të shiut.
Ndërkohë situatë e qetë paraqitet në lumin Shkumbin, i cili nuk ka rrezik që të dalë nga shtrati.



