
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka ndërmarrë një nismë, një peticion të firmosur nga mësues nga e gjithë Shqipëria përmes të cilës i kërkojnë Ministrisë së Arsimit rikthimin e pagës së 13-të dhe rritje graduale të pagave për arsimtarët.
Kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, Alma Lama tha për “MCN Live” se shpreson që kjo nismë të përfundojë me dialog.
Kryetarja e degës SBASH, Tiranë, Manushaqe Hoxha dhe ajo e rinisë në SBASH, Elmie Novi kërkojnë përmirësim të të drejtave dhe kushteve në punë dhe se kërkesa e tyre kryesore, është ajo ekonomike.
Lama
Ne i nisëm Ministrisë së Arsimit peticionin dhe nuk morëm përgjigje, u neglizhuam. A-ja e zgjidhjes së problemeve tona ekonomike është dialogu. Tani jemi në momentin që na janë bashkuar mbi 3 mijë guximtarët e parë në arsim. Ka drejtorë në sistemin tonë arsimor, që peticionin e mësuesve e ka futur në sirtarin e tij.
Peticionin e kemi dorëzuar në të gjitha shkollat dhe kemi pasur problema nga disa drejtorë. Kryesisht në rrethe jemi hasur me më shumë probleme. Mësuesit e rinj nuk kanë besim te sindikatat dhe kjo e bën të vështirë dhe punën tonë. Ne jemi në dy procese gjyqësore dhe shpresojmë shumë që ku vendim sindikal që kemi nisur të shkojë në dialog.
Ne përgjigjen e presim brenda dhjetë ditësh. Mësuesit duhet të jenë bashkë në sindikatë për mos të qenë bishta partish. Çfarë ka në kontratë duhet t’i marrë mësuesi, ndryshe pse e nënshkruajmë kontratën.
Hoxha
Kërkesa për pagën e 13-të është tërësisht ekonomike dhe është kërkuar nga vetë mësuesit. Në mbledhjen e këshillit kombëtar ne kërkuam pagën e 13-të. E kishim të lehtë se vetë mësuesit na kërkonin pagën e 13-të. Ne e kemi fituar dhe nuk ka pse të na hiqet.
Kjo u hoq në vitin 2006 me idenë që u dyfishua paga. Jemi në kohë dhe presim përgjigje nga ministria pikërisht për kërkesën e bërë. Presim përgjigje para miratimit të buxhetit. Nëse miratojnë buxhetin dhe nuk na përfillin, ne do ndërmarrim hapa të tjera.
Novi
Në shumë vende europiane ka pagë të 14-të dhe kushte shumë të mira pune. Në praktikë ne nuk i afrohemi nivelit të Bashkimit Europian.
Paga e mësuesit ndahet në pagën e grupit, vjetërsinë në punë, kualifikimet dhe pozicionet dhe në varësi të saj del paga e mësuesit. Ne kërkojmë rritje graduale të pagës, pasi rritjet e çmimeve bëhet më me shpejtësi se sa rritja e pagës dhe nuk ka kompensim.
