Me anë të një serie videosh, Ambasada Gjermane ka përkujtuar 30-vjetorin e hyrjes së shqiptarëve brenda rrethimit të saj, një gjest që do të shënonte një kthesë të madhe në historinë e vendit. Dëshira për të lënë pas diktaturën e për t’u nisur drejt asaj që e shihnin si një portë që do t’i çonte drejt lirisë do të kthehej në ngjarje të bujshme për kohën e do të ndikonte në ndërrimin e sistemeve.
“Nga data 2 deri më 12 korrik 1990, 3.200 shqiptarë dhe shqiptare kërkuan strehim në territorin e Ambasadës Gjermane. 30 vjet pasi mijëra njerëz mësynë në ambasadat e huaja ne duam të përkujtojmë këto ditë historike”, shkruan ambasada.
Gjermania u pa në atë kohë si shpresë për shqiptarët, të cilët, edhe sot, vijojnë ta shohin të tillë. Nëse 30 vjet më parë, dëshira për të ikur i nxiti të kapërcenin muret, sot presin me muaj të tërë radhën për datën e intervistës.



