Eksperti i arsimit, Fatmir Vejsiu të shtunën është shprehur se protesta e maturëntëve për rivlersim të testit të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe është e drejtë dhe ata duhet të luftojnë për të përfituar të drejtën që u takon.
I ftuar përmes një lidhje me Skype në edicionin e lajmeve në televizionin TVT, Vejsiu theksoi se specialistë të fushës janë shprehur me detaje, argumente dhe kanë hedhur poshtë testin për nga mënyra se si ai është formuluar.
Si i konsideroni protestat e maturantëve. Janë të drejta këto protesta të bëra në lidhje me testin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Si e gjykoni përmbajtjen e këtyre pyetjeve të bëra në këtë test?
Vejsiu: Së pari unë nuk jam specialist i fushës dhe s’mund të gjykojë përmbajtjen e testit të letërsisë. Unë jam mësues i matematikës për shkollat e mesme. Por indikacionin e kam marrë nga mësues me shumë përvojë, të cilët janë shprehur me detaje, me argumente dhe kanë hedhur poshtë testin për nga mënyra se si është formuluar. Jo thjeshtë nëse e përmban ose jo programi orientues i Ministrisë së Arsimit. Kjo është tjetër gjë dhe është krejt ndryshe se si të dish të ndërtosh testin. Pra nëse një autor trajtohet si i tillë në programin orientues kjo s’do të thotë se nxënësit dhe mësuesit janë përgatitur për atë gjë.
Mënyra e formatimit të tekstit sipas ekspertëve, unë mendoj se ata kanë të drejtë. Nëse maturantët do të ishin ngritur pavarësisht, pavarësisht asaj se çfarë thonë mësuesit, kjo është hera e parë që ka ndodhur. Ka pas disa opsione për testet dhe në mënyrë të veçantë për letërsinë, por është hera e parë që në 14 vite që zhvillohet Matura Shtetërore që unë lexoj apo dëgjoj mësues që shprehen qartazi për mangësitë që ka testi. Pra, unë i jap të drejtë maturantëve. Një gjë më bën përshtypje si ka mundësi që ministrja e Arsimit shprehet pa ditur se shton autorët e tekstit. Ka një institucion që quhet Qendra e Shërbimeve Arsimore, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe hartimin e testit, shpërndarjen dhe korrigjimin. Pa u shprehur ata, shprehet ministrja.
Kemi patur rastin e pandemisë ku shkolla ishte e pezulluar dhe si duhej të kishte vepruar ministria dhe, a e ka menaxhuar drejt këtë situatë?
Vejsiu: Unë mora shtysë nga një udhëzim që ka dalë dje me sa duket që koha e provimit të maturës shtetërore nuk do të jetë dy orë, por dy orë e 30 minuta. Përse bëhet kjo, ose ka një veprim fare të pamatur ose koha në dispozicion të maturës për të zhvilluar testin e letërsisë ka qenë e pamjaftueshme. Pra, nëse ti je i ndërgjegjshëm për këtë, atëherë duhet të penalizosh ata që kanë bërë testin që s’e kanë llogaritur mirë kohën, ose përndryshe maturantëve duhet t’u japësh minimumin 20% të pikëve të fituara. Sepse i ke hëngër 20% të kohës. Kjo jo për meritat e nxënësve, se sa për fajin e atyre që kanë hartuar testet.
A duhet të shërbejë ky rast për të pasur më kujdes për testin e matematikës?
Vejsiu: I vetmi test që ka hasur në kritika gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë ai i letërsisë dhe kjo për shkak edhe të subjektivizmit. Në matematikë ndryshe nga letërsia ka ushtrime që cekin ato se çfarë nxënësi ka trajtuar teorikisht përgjatë viteve shkollore. Ushtrime të vështira ka dhe ushtrime më të lehta ka. Ajo që unë kam frikë nga teksti i matematikës është ajo që është llogaritur se për çdo ushtrim të kemi dy minuta kohë në dispozicion. Tani është shtuar pak dhe është bërë në gati tre minuta. Ka ushtrime që kërkojnë për t’u zgjidhur më shumë se tre minuta dhe më shumë se pesë minuta. Këto janë ushtrime të vështira. Atëherë, nëse numri i ushtrimeve është i barabartë me numrin e pikëve. Pra 60 ushtrime për 60 pikë ky është një koncept i gabuar pasi në matematikë nuk ka pyetje të vështira që mund t’i përgjigjesh menjëherë.
Cili është apeli që ju i bëni maturantëve që janë gjendur në këtë situatë?
Vejsiu: Unë maturantëve iu them që të këmbëngulin pasi kanë të drejtë tek provimi i letërsisë. Për të fituar atë që u takon për ta fituar. I këshilloj që në provimin e matematikës të jenë të kujdesshëm, të punojnë për veten e tyre, të trajtojnë ushtrimet nga më i lehti tek më i vështiri dhe të mos mendojnë se duhen të kopjojnë për të ndihmuar të tjerët apo të përfitojnë nga të tjerët. Më tepër thirrjen e kam tek administratorët, pasi ai duhet të jetë shembullor. Ku secili nxënës të marrë aq pikë sa ai meriton. Kuptohet se në ushtrimet me alternativa atje luhet edhe bingo.
A mendoni se Ministria e Arsimit ka dështuar në menaxhimin e Covid-19?
Vejsiu: Unë nuk mund të them dot se ka dështuar në organizimin e punës, pasi situata ishte e befasishme. Pra nuk e dinte kërkush jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë se do të krijohej një situatë e tillë që të mbylleshin edhe shkollat. Në një kohë tepër të gjatë dhe për më tepër në fundin e vitit. Mësuesit në fundin e vitit i kushtojnë shumë rëndësi organizimit dhe sistemimit të njohurive që nxënësit kanë marrë përgjatë vitit shkollor. Kjo nuk u realizua dot për shkak të pandemisë. Pra, më tepër kanë vlera mësuesit që kanë punuar mirë në mënyrë online për të organizuar orën e mësimit, se sa ministria e cila me shumë pak njerëz nuk arriti të gjejë rrugën për të diskutuar se çfarë duhej të bëhej. Megjithatë ky vit iku, por unë ja kam frikën viteve të ardhshme.



