Rikthehet normaliteti në furnizimin me energji elektrike në Bashkinë e Përrenjasit. Pas një ndërprerjeje të shkaktuar nga një defekt i rëndë në rrjetin e tensionit të mesëm, energjia elektrike është rikthyer plotësisht, pas ndërhyrjes intensive të specialistëve dhe ekipeve teknike të OSSH-së.
Sipas informacionit zyrtar, defekti kishte prekur fiderin nr. 1, 6 kV, i cili ishte dëmtuar si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, të shoqëruara me stuhi dhe breshër.
Ndërhyrja për riparimin e avarisë hasi vështirësi për shkak të motit të keq, i cili nuk krijonte kushte të sigurta për vijimin e punimeve. Për këtë arsye, procesi i riparimit rifilloi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me angazhimin e plotë të ekipeve të OSSH-së.
Një tjetër element që e bëri më të vështirë ndërhyrjen ishte pozicioni i kabllit të dëmtuar, i cili kalon në dalje të nënstacionit, në një zonë ku ndodhen edhe linja të tjera elektrike. Kjo kërkoi kujdes të veçantë gjatë gërmimit dhe identifikimit të pikës së avarisë, për të shmangur dëmtime të tjera në infrastrukturën energjetike.
Pavarësisht vështirësive, falë ndërhyrjes së specialistëve, OSSH arriti që një pjesë të lagjeve të qytetit t’i furnizonte më herët me energji elektrike përmes linjave paralele, duke shmangur kështu ndërprerjet e tejzgjatura për abonentët.
