Irani ka lehtësuar masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit, duke lejuar hapjen e restoranteve për klientët.
Meqënëse rastet e para të Covid-19 u shfaqen në mes të muajit shkurt, republika islamike është munduar të parandalojë përhapjen e virusit pa imponuar masa bllokuese.
Lajmi u publikua nga zv/ministri i Shëndetësisë, Mohsen Farhadi, i cili bëri me dije lehtësimin e kufizimeve për restorantet.
“Restorantet para këtij dekreti janë lejuar vetëm të shpërndanin ushqime, tani do të lejohen edhe të pranojnë klientë”, tha Farhadi për televizionin shtetëror.
Ai u bëri thirrje stafit të restoranteve që të respektojnë protokollet shëndetësore për garantimin e veçimit shoqëror prej 2 metrash dhe zvogëlimin e kapaciteteve të tyre me 50 përqind.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, raportoi 57 viktima si pasojë e virusit Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në vend në 7 mijë e 508.
Jahanpour tha se Irani deri më tani ka shënuar 139.511 persona të infektuar me koronavirus.
“Ne po vëmë re një qëndrueshmëri të rasteve në shumicën e provincave”, tha Jahanpour, duke shtuar se krahina jugperëndimore e Khuzestan ishte ende e klasifikuar si zonë e kuqe, pavarësisht se numri i infektimeve është në ulje.
Ekspertët e shëndetit publik si brenda ashtu edhe jashtë vendit janë shprehur skeptikë në lidhje me publikimin e shifrave zyrtare, duke hamendësuar për një numër më të lartë viktimash dhe të infektuarish.



