
Presidenti Aleksandër Lukashenko të dielën është shfaqur mospërfillës ndaj qindra protestuesve që kërkonin dorëheqjen e tij, duke mbajtur një automatik në dorë dhe i veshur me antiplump, ndërsa zbriti nga një helikopter që u ul në rezidencën e tij.
Lukashenko shtrëngoi duart me ushtarët të cilët janë në detyrë në rezidencën e tij. Ai porositi ushtrinë të jetë në gatishmëri të plotë.
Në pamjet e filmuara nga televizioni shtetëror, me veshjen e armatosur, Presidenti eci mes turmës.
Rreth 200 mijë protestues që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme mbushën rrugët kryesore të Minskut, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Mbështetësit e opozitës u mblodhën në Sheshin Pavarësia, pasi forcat policore ishin në gatishmëri nën urdhrat e liderit autokratik.
Autoritetet shtetërore paralajmëruan qytetarët bjellorusë për pjesëmarrje të paligjshme në protesta.
"Rezistenca jonë është një maratonë. Regjimi nuk mund ta pranojë këtë maratonë, por ne do t’ia dalim. Ne kemi fuqinë, dëshirën dhe mbështetjen e njëri-tjetrit. Çdokush duhet të shkruajë, të dalë, të flasë, të ankohet, të refuzojë, të bojkotojë dhe të mos bjerë dakord”, tha Maria Kolesnikova, pjesë e këshillit opozitar.
Protestuesit mbajtën një minut heshtjeje për viktimat, ndërsa autoritetet bënin vazhdimisht thirrje me altoparlantë, duke njoftuar shpërndarjen e protestës, pasi është e paligjshme.



