Prej afro tre ditësh fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë nga një zjarr me përmasa të mëdha. Pamundësia për ti shuar nga toka, ka bërë që në Vlorë të mbërrijë edhe një helikopter i emergjencave civile i cili po bën tashmë të mundur shuarjen e flakëve në fushën e grumbullimit të mbeturinave në lagjen “24 Maji” në Vlorë. 42 trupa dhe 13 mjete janë angazhuar prej orësh në aksionin për shuarjen e zjarreve të ndezura në Peshtan të Fierit dhe fushën e mbetjeve në Vlorë. Efektivët e Repartit të Poshnjes po punojnë në terren në zonën e pyllëzuar dhe tejet të vështirë në Peshtan, ndërsa helikopteri Cougar vijon ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e zjarrit në fushën e mbetjeve në Vlorë. Shtëllunga e tymit ka vijuar për 24 orë, duke krijuar shqetësim për pushuesit. Kjo është hera e tretë që landfilli përfshihet nga flakët, duke bërë që të nisin hetimet për shkak se ngjarja dyshohet e qëllimshme. Deri në këtë moment nuk ka rrezik për banesat, ndërkohë po punohet me intensitet për neutralizimin e plotë të zjarrit. Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha deklaroi për mediat se zgjidhja afatgjatë për problemin e mbetjeve është vënia në funksion e landfillit në Sherishtë. Ai uroi që zjarri të mos jetë i qëllimshëm, duke shtuar se nëse është i tillë nuk vihet kundër bashkisë dhe kryebashkiakut por kundër gjithë Vlorës.



