3 korrik është Dita ndërkombëtare pa qese të plastikës. Kjo ditë është një mundësi për ndërgjegjësimin e publikut për mos përdorimin e çantave plastike duke patur parasysh rrezikun dhe ndikimin e tyre në mjedis. Ekzistojnë shumë mundësi të tjera mjedisore të përdorimit të çantave që nxitin zhvillimin e qëndrueshëm. Përdorimi i tepërt, pa kontroll, hedhja e tyre vend e pa vend, si dhe mos dërgimi për riciklim paraqet probleme serioze për mjedisin ku jetojmë. Qeset plastike përdoren për një mesatare prej 12 minutash dhe pasi hidhen, kërkojnë 100-1000 vjet për t’u dekompozuar. Në mbarë botën, vetëm 9% e tyre riciklohet, ndërsa 73% e mbeturinave të detit janë plastike. Në vitin 2017, Tirana është përfshirë në nismën për zvogëlimin e përdorimit të çantave plastike, përmes vendosjes së pagesës për çdo çantë plastike të përdorur.



