Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë ka ndikuar edhe në vendet e Azisë Jugore si Pakistani, ku fëmijët janë të detyruar të kryejnë punë të ndryshme fizike.
Ata i nxjerrin të ardhurat e tyre nga larja e xhamave të makinave, një punë mjaft e rrezikshme për shëndetin e tyre.
Fitimi në ditë normale mund të shkojë deri në 3 dollarë në ditë, por për shkak të izolimit, puna ndaloi.
Njëri prej tyre thotë se shoferët nuk i lejojnë më të pastrojnë makinat, pasi kanë frikën e infektimit.
Një tjetër pohon se ndihmon të atin në një fabrikë veshjesh, por mbyllja e biznesve e pezulloi punën e tyre.
Pakistani deri më tani ka regjistruar mbi 125 mijë raste me Covid-19 dhe ka shënuar pothuajse 2 mijë e 500 viktima.
Ekspertët thonë se numri mund të jetë shumë më i madh, pasi numri i testeve të koronavirusit është mjaft i ulët në vendet e Azisë Jugore.
Qeveria vendosi për izolim të pjesshëm në mars për të parandaluar përhapjen e virusit.
Kryeministri Imran Khan tashmë ka lehtësuar masat me qëllimin për të ndihmuar njerëzit e varfër.
Shumë njerëz në Pakistan përballen me një dilemë: një mbyllje për shkak të Covid-19 do të paralizonte aktivitetet ekonomike dhe të shtonte akoma më shumë numrin e të papunëve në vend.
Por nga ana tjetër, nëse vendi nuk do të izolohet, si numri i të infektuarve, po ashtu edhe numri i viktimave si pasojë e koronavirusit do të shtoheshin.



