Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me 24 administratorët dhe grupin e emergjencave, ku analizoi situatën e krijuar si pasojë e reshjeve, ndërsa theksoi se si pasojë e angazhimit të të gjitha strukturave, emergjenca kaloi dhe shumica e zonave po i rikthehen normalitetit.
Veliaj theksoi se situata e krijuar në 48 orët e kaluara tregoi edhe një herë efikasitetin e investimeve që ka kryer Bashkia e Tiranës gjatë këtyre muajve.
“Në zonat ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës, nuk kemi pasur probleme. Situata e djeshme në zonat urbane u menaxhua vetëm me bllokimin e rrugëve në më pak se 90 minuta. Bashkia e Tiranës është e vendosur që të vijojë edhe këtë vit investimet, qoftë në lumin e Tiranës, ashtu edhe në pjesët e tjera ku ende mbartet reziku i përmbytjeve”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, Veliaj përshëndeti marrjen e rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke theksuar se në fund të këtij procesi, edhe Tirana do të jetë një nga kryeqytetet e BE-së.



