Pesë mijë hektarë tokë bujqësore nën ujë dhe shumë familjë të përmbytura që këtë të mërkurë iu gëzuan mosrënies së reshjeve … Kjo është pamja që ofron sot Fushë–Kruja pas ditëve me shumë reshje shiu. MCN TV u ndal në një nga fshatrat më të prekur, Murqine, ku përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shumë dëme materiale.
Janë 200-300 familje që përballen çdo vit me përmbytjet. E vetmja mënyrë jetese për këta banorë është kultivimi i kulturave bujqësore, por reshjet e vazhdueshme u kanë dëmtuar prodhimet.
Një banor i këtij fshati thotë për MCN TV, se dëmet janë të konsiderueshme, situatë më të cilën përballen gjithmonë në ditë me reshje, ndërsa pushteti lokal nuk i ka kompesuar asnjëherë. Dëmet në banesën e tij janë të mëdha, situatë që vjen prej mosfunksionimit të kanaleve kulluese dhe rrjetit të amortizuar, ku uji ka përmbytur rrugë e dhjetëra shtëpi.
Të tjerë banorë ngrenë shqetësimin përmes kamerës së MCN, se kanë mbetur të bllokuar, pasi siç shihet edhe nga pamjet, niveli i ujit është i lartë.
E njëjta situatë të ofrohet edhe në fshatrat e tjerë përreth, si Derveni, Mallkuçi dhe Bilaj.
Në gjendje kritike janë edhe disa fshatra të tjerë përreth lumit Ishëm, ku prej më shumë se 72 orësh, dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit.



