Reshjet e dendura të shiut që përfshinë kryeqytetin ditën e sotme kanë shkaktuar probleme të shumta në zonën e “Pallatit me shigjeta”.
Gazetarja e MCN TV, Oliverda Allmuça raportoi mbrëmjen e kësaj të premte pikërisht nga kjo zonë duke thënë se shitësit e dyqaneve të përfshirë nga uji kanë qenë atje duke u marrë me pastrim deri në orët e vona.
Sipas saj, ata thonë se nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet, ndonëse në dyqane duken pasojat e vërshmit të ujit.
Ndërkohë rrugët janë ende me pellgje uji, ndërsa një nga zonat më problematike është ajo e ish-Parkut të autobusëve, ku u desh ndërhyrja me zjarrfikëse në disa godina.
Allmuça raportoi se të gjitha akset pothuajse kanë qenë të paralizuara dhe nuk ka qenë e mundur lëvizja e mjeteve, edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku shumë automjete janë detyruar të fiken, deri në ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë në mbrëmje situata paraqitet më e normalizuar dhe pa probleme me trafikun, pasi akset rrugore janë të liruara.



