Raporti i akreditimit nga stafi shqiptaroanglez për universitetin e Tiranës ka nxjerrë më në pah “betejën” e nisur prej më shumë se një viti midis rektorit aktual Mynyr Koni dhe paraardhësit të tij Dhori Kule.
Të dy kanë drejtuar gishtin nga njëri-tjetri duke e bërë përgjegjës për vlerësimin e ulët, ndonëse në asnjë rast nuk e pranojnë që institucioni që drejtojnë është në atë nivel.
Në deklaratën e një dite më parë, Kule pranon se UT ka shumë probleme institucionale dhe për këtë bën “fajtor” drejtuesin e universitetit, i cili nuk e ka marrë seriozisht situatën.
Përmendja e emrit të tij nga ky i fundit ka detyruar rektorin Mynyr Koni të dalë në një deklaratë për mediat ku jo vetëm hedh poshtë pretendimin e Kules, por duke kaluar të gjithë peshën e rezultatit të ulët nga ai.
REAGIMI
Për rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, vlerësimi institucional është bërë në periudhën e drejtimit nga paraardhësi i tij, Dhori Kule. “Vlerësimi institucional për Universitetin e Tiranës është bërë në periudhën 2013-2016, ku në pozicionin e rektorit ka qenë Kule.
Ndërsa gjithë aktiviteti, gjithë procesi për realizimin e tij është bërë nga momenti i aplikimit që ka qenë në dhjetor 2016 dhe deri tani nga strukturat në përbërje të UT, të njësive përbërëse të tyre, departamentet, stafi akademik, studentët dhe stafi administrativ”.
Sipas rektorit aktual, gjithë procesi i përgatitjes së materialeve është bërë në transparencë të plotë, drafti u është dorëzuar të gjithë dekanëve, ndërsa thekson se ka qenë Kule ai që ka munguar në një prej takimeve me ekspertët e vlerësimit. Duke u ndalur te raporti, Mynyr Koni i qëndron idesë se universiteti që drejton është më i miri. Për këtë, po hartohet një raport që do t’u shkojë ekspertëve të vlerësimit dhe shprehet i gatshëm ta mbrojë edhe në rast se do të duhet t’u drejtohet organeve ligjore në rast se konstatohen padrejtësi.
“Senati akademik do të mblidhet menjëherë si autoriteti më i lartë akademik në momentin që të mbërrijë raporti përfundimtar i grupit të vlerësimit të jashtëm dhe vendimi i bordit të administrimit. Në këtë moment, ky organ do t’i nënshtrohet një analize të hollësishme dhe nëse ne shohim arsye, do t’u drejtohemi institucioneve ligjore, Gjykatës Administrative”.
Sipas draftit të siguruar nga gazeta, raporti flet për mangësi në plotësimin e disa standardeve kryesore, si dhe kritereve të tjera që janë kusht për funksionimin e një universiteti cilësor./Panorama



