Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, pohoi se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus dhe tani është në spital, duke u trajtuar për Covid-19.
“Po, jam sëmurë. Jam duke u trajtuar”, deklaroi Peskov, i cili konsiderohet si krahu i djathtë i Putin.
Mediat raportojnë se Presidenti nuk ka pasur takim me zëdhënësin e tij, për shkak të kryerjes së punës nga shtëpia.
Nga ana tjetër, edhe Peskov ka pranuar se nuk është takuar me Putin për më shumë se një muaj, duke shuar çdo mundësi për një infektim të mundshëm.
Ai nuk është i vetmi zyrtar i lartë që infektohet me Covid në Rusi. Infeksioni ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Putin shpalli disa lehtësime të masave bllokuese në vend.
Rusia deri më tani ka shënuar 232 mijë raste të konfirmuara me Covid-19 dhe pothuajse 2 mijë viktima, një numër ky i konsideruar i ulët në raport me vendet e tjera të prekura nga pandemia.



