Disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi me përmbajtje salmonele në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, ku disa fëmijë janë paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit, ndërsa analizat laboratorike kanë treguar se ata janë helmuar. Analizat kanë treguar prani të bakterit salmonelë.
Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror. Në lidhje me ngjarjen MCN iu drejtua spitalit të Gramshit. Drejtoresha e institucionit, Greta Lena, bën me dije se vërtet në spital janë paraqitur fëmijë me salmonelë, por situata është nën kontroll dhe jo siç paraqitet në disa rrjete sociale që kemi të bëjmë me 70 fëmijë të prekur. Në spital thotë ajo janë paraqitur vetëm 3 fëmijë, një rast me simptoma më të rënda dhe 2 të tjerë më lehtë. Sakaq, kopshti i është nënshtruar dezinfektimit.
“Nuk është i vërtetë numri që qarkullon në mediat sociale. Tre fëmijë janë paraqitur në urgjencën e spitalit Gramsh në fillim të javës. Fillimisht është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te Higjiena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë. Më pas në spital mbërritën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele. U krye menjëherë dezinfektimi i ambienteve të kopshtit dhe në vijim të paktën në spital nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma. Gjendja shëndetësore e tre fëmijëve të prekur rezulton e përmirësuar”, përfundon Lena.



