Hapja pas karantinës riktheu punimet në rrugët e kryeqytetit. Korsitë e biçikletave po shtohen në numër, duke shkaktuar jo pak reagime te bizneset, të cilat i shohin ato si pengesë. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, Bashkia e Tiranës duhej të kishte bërë më parë një studim të thelluar për efektet e kësaj risie, të cilat do të duhej të ishin transparente për publikun.
“Deri tani nga Bashkia e Tiranës është përmendur vetëm një studim, ai i prezantuar në janar 2017, i kryer nga ekspertë holandezë dhe i prezantuar në një ambient të mbyllur. Pati edhe një tentativë për të prezantuar një sistem biçikletash në Tiranë, qëe rezultoi i dështuar. Pas pandemisë ka një projekt për rikthimin e korsisë së biçikletave, madje edhe në ato rrugë që kanë qenë shërbim me pagesë. Nuk ka një studim mbi të cilin është bërë dhe cilat janë objektivat që synohen përmes këtyre masave. Por janë disa veprime që kanë shkaktuar jo pak probleme. Ne kemi parë bizneset e vogla, të lokalizuara në rrugët kryesore të kryeqytetit të bllokuara nga korsitë e biçikletave. Nëse një biznesi i heq aksesin për t’i shkuar klienti, dëmi është kolosal. Ne kemi parë biznese që kanë filluar të ankohen, pasi shtrirja e korsive të biçikletave u heq aksesin e klientëve. Janë me qindra bizneset që mund të falimentojnë prej kësaj mase. Është një kolpo tjetër pas tërmetit dhe pandemisë. Nuk e dimë a i ka marrë parasysh këto Bashkia e Tiranës, por nëse do të kishte një studim serioz, do të kishte marrë parasysh se çfarë fiton kryeqyteti dhe çfarë pasojash negative do të ketë te bizneset por jo vetëm”, tha Tomorri në një bisedë me Skype me studion e lajmeve në TvT.
Heqja e mundësisë së parkimit në anë të rrugës, për shkak të korsive të biçikletave, i orienton drejtuesit e mjeteve drejt parkingjeve me pagesë, qofshin këto private apo publike. Për Tomorrin mbetet e paqartë nëse grupe të caktuara interesi kanë pasur ndikim në një vendim të tillë, por e sigurt është që trafiku në Tiranë do të rëndohet.
“Tirana është një nga kryeqytetet më të vështira për parkingje. Kjo për shkak të ndërtimeve pa kriter, ndërtimeve të vjetra pa parkime. Për shumë qytetarë, mundësia e vetme kanë qenë rrugët. Nëse edhe ato ngushtohen, situata do të rëndohet. Njerëzit do të jenë të detyruar të shkojnë drej parkingjeve publike dhe private me pagesë. Ky është një interes i ngushtë që nuk zgjidh problemin e Tiranës me parkingjet. Do të rëndohet edhe trafiku, prandaj ne e theksojmë që duhej një studim i plotë para se të implementohej një projekt i tillë, pasi jo çdo qytet mund ta përdorë këtë skemë”, tha ai.



