Aeroporti i Prishtinës mbetet i mbyllur deri më 27 qershor

Aeroporti i Prishtinës mbetet i mbyllur deri më 27 qershor

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se trafiku ajror mbetet i bllokuar deri më 27 qershor.

Ndër pasojat kryesore të pandemisë ka qenë dhe kufizimi i transportit dhe mbyllja e aeroporteve. Një gjë e tillë ka ndodhur dhe në Kosovë, ku aeroporti kryesor, ai i Prishtinës, nuk ka qenë operacional që prej fillimit zyrtar të epidemisë atje në mars.

Përmes një njoftimi për media, Aeroporti “Adem Jashari” njoftoi se është i gatshëm të rinisë operimin në të gjitha ,masat e sigurisë të sanksionuara nga autoritetet, por presin që qeveria e Kosovës të marrë vendim për këtë gjë.

“Qeveria e Kosovës, është autoriteti përkatës, që vendos për datën e lejimit të të gjitha fluturimeve, si në ardhje po ashtu edhe në nisje”, thuhet në njoftimin e Aeroportit “Adem Jashari”.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi më 9 qershor, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pritet që Aeroporti “Adem Jashari” të rihapet brenda dhjetë ditësh.

Ndërkaq, zyrtarët e aeroportit kanë deklaruar në fillim të qershorit se kanë bërë përgatitjet e duhura për mbrojtje nga koronavirusi, duke dezinfektuar hapësirat dhe duke krijuar kushte për mbajtjen e distancës fizike në terminalin e aeroportit.

Më 13 mars, Kosova raporti rastet e para me koronavirus. Autoritetet vendosën masa izolimi duke mbyllur kufijtë tokësorë, shkollat dhe shumë biznese. Më 1 qershor, Qeveria e Kosovës lehtësoi edhe më tej masat, duke rihapur kufijtë tokësorë. Megjithatë, lirimi i masave të karantinimit u shoqërua me rritje të rasteve të reja, çka ka bërë që qeveria e re Hoti të tregohet më e kujdesshme në lejimin e hapjes së plot të vendit.

Bllokimi i trafikut ajror në Prishtinë sjell disa pasoja edhe për qytetarët e Shqipërisë, të cilët përdorin aeroportin “Adem Jashari” për të kryer udhëtime të lira kryesisht me Gjermaninë apo Evropën Lindore.

Ndërkohë, aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë ka njoftuar rifunksionimin e tij të plotë që prej ditës së sotshme, e megjithatë shumë vende Evropiane nuk i kanë hapur tërësisht kufijtë e tyre për shtetasit jashtë BE-së. “Normalja e re” që ofron periudha e pandemisë po shoqërohet jo vetëm me kufizime të transportit por edhe shtrenjtësim të tij në rastet kur ai lejohet.

Kujtojmë se transporti inter-urban mbetet i bllokuar nga autoritetet qeveritare, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy