
25 Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Kjo ditë u caktua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe ftoi qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të që të organizonin aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut rreth këtij problemi.
Për 16 ditë, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, zhvillohet një fushatë ndërkombëtare sensibilizuese.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të përhapura, të vazhdueshme dhe shkatërruese të të drejtave të njeriut në mbarëbotën. Pabarazia gjinore vazhdon në mbarë botën. Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave do të kërkojë përpjekje më të fuqishme, duke përfshirë kuadrin ligjor, për të luftuar diskriminimin me bazë gjinore, që shpesh vjen si rezultati qëndrimeve patriarkale dhe normave shoqërore.
Vlerësimet globale të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se rreth 1 në 3 (35%) gra në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose nga partneri jointim, gjatë jetës së tyre.
Globalisht, deri në 38% e vrasjeve të grave kryhen nga një partner intim mashkull.



