Zyliha Zhabolli ka kërkuar ndihmën e emisionit “Xhadat” në lidhje me problemin që ka me shtëpinë e sajë. Zylihaja tregon që është e vetme dhe nuk ka asnjë njeri që ta mbështesë në këtë betejë ligjore. Ajo tregon që po i merret shtëpia me forcë, një shtëpi që sipas zonjës është blerë me lek gjaku e me lek burgu. “Këto më morën shtëpinë dhe hanë lekët e mia.”
“Në vitin 2011 blemë shtëpinë direkt nga pronari dhe e morëm në katin e shtatë me ashensor. E blemë 58 mijë euro dhe u interesuam për certifikatën e pronësisë. Pronari na tha që i kemi në kadastër. Pronari i shtëpisë quhet Gzim Ceka.U interesuam dhe meqë s’kishte asnjë sipas banorëve certifikatën, dhe pronari na siguroi që do e merrnim, vendosëm ta blinim. Erdhi koha që ne e morëm certifikatën e pronësisë. Por pas disa kohësh na vjen një shkresë nga zyra e hipotekës ku thoshte se na dërgoni certifikatën e pronësisë sepse kemi bërë disa gabime. Unë nuk e dorëzova. Takoj një person të hipotekës dhe më thotë që urgjent kërko një avokat. Në hipotekë më thanë që nuk ke shtëpi. Sa të vdes unë, do marrin shtëpinë, e unë të rri të vuaj për kafshatën e bukës e piken e ujit,” thotë zonja Zyliha.
Ajo vazhdon më tej duke thënë: “Në vitin 2011 me lekët e internimit bashkë dhe me shitjen e shtëpisë që kishim me bashkëshortin, e blemë nga firma ndërtuese. Por në vitin 2019, firma ndërtuese ia ka shitur shtëpinë edhe një pronareje tjetër.” “Në momentin që morëm vesh këtë problem, morëm një avokat i cili njihej edhe me djalin e motrës sime. Avokati na tregoi që do hidhte në gjyq pronarin e firmës ndërtuese dhe pronarin e tokës që na shqetësonte, dhe kjo situatë ka 5-6 vite.” “Në 2019,” – tregon zonja –“janë bërë gjyqe pa dijeninë time dhe të burrit tim. Pronari i truallit së bashku me ndërtuesin, të dy bashkë, kanë bërë gjyqe pa na thirrur ne dhe na kanë marrë shtëpinë. Gjyqin e kanë fituar ata të dy. Pronari i firmës ndërtuese ka marrë lekët e shtëpisë time, ndërsa pronari i tokës ka marrë shtëpinë time, dhe mua ma kanë bërë shtëpinë provizore.”
“Ajo që ka bërë gjyqin e veshur me pushtet ka qenë edhe prokurori edhe gjyqtari. Dhe të veshur me pushtet ma kanë marrë shtëpinë. Si mund të bëhen gjyqe pa qenë i zoti i shtëpisë? Unë nuk kam besim, gjykata më la pa shtëpi,” – thotë zonja Zyliha. “Nuk e kisha menduar asnjëherë që do më merrnin shtëpinë. S’ka bërë vaki në asnjë vend, por tek unë bëri. Njëri mori shtëpinë, tjetri lekët. Unë ngela pa shtëpi dhe presin vdekjen time për të më marrë shtëpinë. A ka mundësi që drejtësia ta bëjë këtë gjë? Po më dërgojnë në vetëflijim. Këto janë krime makabre. Vuajtëm në diktaturë dhe po vuajmë edhe tani në demokraci se na morën shtëpinë. S’kam ku të shkoj. Kam shkuar tek Avokati i Popullit dhe kur ika nuk më priti, por më priti një zëvendëse e saj. Ajo më tha që shko tek gjykata e rrethit dhe merr një avokat, sepse në situatën që je ti që s’ke lekë, atje mund të sigurojnë një avokat. Kam telefonuar një avokat dibran dhe nuk më është përgjigjur.
Ndërsa ministrin e Drejtësisë së asaj kohe, Ulsi Manja, e kam telefonuar disa herë dhe nuk më është përgjigjur, por më ka nxjerrë në telefon sekretaren.”Avokat Erald Aga thotë se:“Jam njohur me rastin. Në vitin 2002 kompania ‘Alb Flor’ ka lidhur një aktmarrëveshje me pronarët e truallit në momentin që ka filluar punimet. Më pas, në 27 janar 2003, ka bërë tjetër marrëveshje më 25 prill 2003. Kompania nuk ka respektuar marrëveshjet me pronarët dhe ka vazhduar shitjen e apartamenteve. Pasi ka përfunduar ndërtimin, ka kaluar afati i lejeve dhe prandaj zonja Zhabolli ka bërë një kërkesë pranë ALUIZNI-t. Me aplikimin e ALUIZNI-t dhe me aktmarrëveshjet me pronarët, është pajisur me certifikatë pronësie në datë 18 mars të vitit 2011.
Në vitin 2019, pronarët kishin vijuar proceset gjyqësore dhe marrin me vendim të Gjykatës së Apelit të drejtën ndaj kompanisë, duke përfituar ato aktmarrëveshje që kompania nuk i kishte mbajtur. Në momentin që kanë fituar gjyqet, ata kanë shkuar ta regjistrojnë në hipotekë dhe është shfuqizuar leja e legalizimit, sepse rezultonte që edhe zonja Zyliha kishte certifikatë pronësie.
“Mua më shqetëson shtëpia sepse marr vetëm një pension. Në fillim më ka ardhur punonjës i zyrës së përmbarimit dhe më thanë që ju do dilni jashtë sepse kjo shtëpi është e dikujt tjetër. Por pastaj na lanë brenda dhe këtë nuk e kuptuam pse. Atëherë nuk kisha problem, por sot kam,” – tregon zonja, – “pasi dua ta shes shtëpinë ose t’ia dhuroj dikujt që të mund të më mbajë dhe mos të vdes e vetme. Unë kam të njëjtën vuajtje si në kohën e komunizmit dhe tani në demokraci.” Zonja Zyliha tregon që një ditë ka parë emisionin e Eni Çobanit, e cila e ka përmendur duke thënë që “edhe zonjës Zyliha ia kanë marrë tokën, por ne do arrijmë t’ia kthejmë sepse e ka blerë me djersë”.
“Kam shkuar direkt bashkë me dosjen tek zonja Eni dhe në momentin që më pa, Eni më tha: ‘Erdhe pasi më pe mua atje?’ Eni më pyeti nëse do e lija dosjen aty tek ajo apo do e dërgoja në ndonjë vend tjetër,” – tregon zonja Zyliha. “Eni më tha që do mundohemi ta marrim shtëpinë sepse e shikoj që je edhe e sëmurë dhe s’ke kohë për të humbur. Zonja Zyliha tregon që ndërmjetësuesja Eni Çobani i kërkoi 4000 euro për të ndjekur çështjen, ndërkohë që unë – vazhdon zonja Zyliha – i pata dhënë 3500 euro avokatit tjetër. I kam marrë borxh 2000 euro dhe ia kam dhënë, ndërsa pjesën tjetër do ia jepja në momentin që do merrja shtëpinë dhe do e shisja, sepse kisha nevojë për një ndihmëse. Dhe ajo pranoi. Kaloi një vit dhe ajo nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. Marr në telefon dhe më dalin vajzat që janë aty dhe sipas atyre i kanë bërë shkresë Ministrisë së Drejtësisë që të vënë përpara çështjen.”
Avokati Erald Aga shpjegon: Problemi është që në momentin e gjykimit gjykata nuk ka pyetur nëse është shitur apo jo si ambient. Kjo është vënë re në momentin që ka shkuar ta regjistrojë pronën pronari i truallit. Gjykata nuk ka thënë se cila pronë, por ka dhënë vendim alternativ përcaktues, që do të thotë ose pronën ose paratë. Do duhej që vetë firma të jepte ose pronën ose paratë dhe të mos krijonte konflikte. Nuk mundet që zonja të penalizohet nga firma. Tani duhet të hedhë zonja në gjyq të dy palët e tjera, firmën ndërtuese dhe pronarin e truallit. Është një situatë që është e vështirë të ndiqet, por zonja Zyliha duhet ta ndjekë në gjykatë me procese gjyqësore që të përmbushen detyrimet kontraktuale ose t’i kthehet shuma përkatëse.”



