Pak ditë para takimit në Uashington, ku delegacioni serb pritet të takohet me delegacionin e Kosovës për të diskutuar për raportet mes dy vendeve, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Lajmi është bërë me dije nga vetë presidenti serb, i cili u shpreh se Kosova, Metohija dhe rruga e Serbisë drejt BE-së ishin temat kryesore të bisedës me Merkel.
“Ajo më inkurajoi përpara takimit në Uashington dhe Bruksel. Tashmë nisem me një qëndrim edhe më të fortë”, u shpreh Aleksandër Vuçiç.
Gjatë ndalesës në Bruksel ai zhvilloi një takim me të dërguarin e BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.
Ndërsa delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti është nisur të hënën drejt Ushingtonit, për të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit me palën serbe.
Përpara takimit, i cili do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni kosovar pritet të zhvillojë edhe takime të tjera me zyrtarë amerikanë.
Axhenda e takimit nuk është bërë publike, por është thënë se atje do të diskutohet për tema ekonomike.



