Një person është vënë në prangat e policisë për zjarrin e rënë në një magazinë me fishekzjarrë në Shkozet, i cili la Durrësin për orë të tëra pa energji elektrike dhe bllokoi trafikun rrugor.
Gazetarja Ervina Garo raportoi për “MCN Live” se i ndaluari akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme, pasi iu vuri zjarrin disa barishteve, por era dhe temperaturat e larta e nxorën situatën jashtë kontrollit, duke përfshirë magazinën.
Rreth orës 15.00 të ditës së djeshme, në zonën e Shkozetit u lokalizua një vatër zjarri. Për rrjedhojë u vu në lëvizje gjithë shërbimi zjarrfikës Durrës, Kavajë, Shijak, ku u luftua me flakët për rreth tetë orë rresht dhe puna nuk është ndalur dhe gjatë natës.
Objekti është shkrumbuar totalisht dhe retë e tymit kanë qenë të pranishme edhe gjatë ditës së sotme. Ndërkohë u ndërpre energjia elektrike për të mos shkaktuar më tej dëme, pasi objekti ndodhej pranë stacionit të furnizimit me energji elektrike.
Energjia u rikthye rreth vetëm rreth orës 23.00. Turistët në zonën e plazhit u ndjenë të pasigurtë, madje kishte prej tyre që u larguan.
35-vjeçari Admir Ndoja është autori i dyshuar i arrestuar nga policia, i cili i vuri zjarrin një grumbulli barishtesh, por era dhe temperaturat e larta e nxorën situatën jashtë kontrollit, duke krijuar këtë situatë alarmante në Durrës.
Dy zjarrfikës nuk janë ndjerë mirë dhe janë drejtuar në spitalin e Durrësit, por sot ata kanë lënë spitalin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.



