Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas hyrjes së policisë në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, për të arrestuar protestuesit.
Përmes një deklarate, Kisha Orthodhokse shprehet se kërkon respektim të vendeve të shenjta dhe e dënon dhunën dhe përplasjet në ambientet e saj, duke bërë thirrje për dialog dhe paqe.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.”



