
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se shteti ka përmbushur të gjitha kushtet që ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë pritjes që i bëri shefit të ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Presidentja i uroi mirëseardhje dhe sukses ambasadorit Orav përgjatë mandatit të tij, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Këshilli i BE-së ka emëruar diplomatin estonez Aivo Orav në postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut në Prishtinë, duke pasuar kështu diplomatin çek, Tomas Szunyog.
Orav, një diplomat me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomacinë evropiane, nacionale e rajonale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022 dhe është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian u tha se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.



