Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, ambasada amerikane thotë se kuvendi ka humbur kohë duke u shpërqëndruar në sulme personale dhe retorika politike, ndërkaq nuk ka arritur të marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën ekonomike dhe shëndetësore në vend.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.
“Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë punë konstruktive që të ballafaqohet me sfidat që ka përpara. Të gjithë duhet të përkushtohen për consensus politik dhe të përmbahen nga dhuna që nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e sidomos në kuvend dhe ndaj gruas – kryeparlamentares”, tha ajo.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje (10 korrik), u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka paraqitur rastin në polici.
"Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq ne i kthehemi punës së Kuvendit të hënën në orën 14:00, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit", tha Osmani.



