Përmes një deklarate për media të deputetit Oerd Bylykbashi, PD pretendon se qeveria ka nisur në terr të plotë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. A është e shqetësuar opozita për kriteret apo për emrat që kanë kandiduar?
Është e qartë se një pjesë e emrave i prishin humorin opozitës. Mes tyre është ish-Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, e sulmuar nga PD më 11 shtator me fjalët ‘Lavire e bulevardit’. Po ashtu, mes kandidatëve ka emra të gjykatës Kushtetuese, dhe të Gjykatës së Lartë apo ekspertë të komisionit të reformës në drejtësi, që PD kërkon t’i ndalojë të marrin, sipas saj, ‘shpërblimin’ nga qeveria.
Por, cila është procedura? Këshilli i Europës ka ftuar qeverinë shqiptare të paraqesë brenda datës 26 gusht 2016, listën me propozime për tre kandidatura, për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual më 31 korrik 2017. Sipas deklaratës së qeverisë, përzgjedhja e kandidaturave të mëparshme për të njëjtin pozicion, si në rastin e gjyqtarit Ledi Bianku, qeveria e Berishës nuk ndoqi asnjë procedurë. Ndryshe nga kjo praktikë, sipas deklaratës, Qeveria publikoi më datë 18 korrik 2016 thirrjen për aplikim. Gjithashtu, për përzgjedhjen u ngrit një komision konsultativ ad-hoc.
Për sa i përket procesit të vetting-ut, qeveria deklaron se ligji nuk është miratuar akoma. Qeveria shqiptare ka të drejtë vetëm propozimin e tre emrave për këtë pozicion, pasi është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, që do të votojë një nga emrat e paraqitur.



