
Për më shumë se një vit në Kosovë, emri ish-politikanit serb, Millan Radoiçiç, lakohet si “kriminel”, “terrorist” e “kontrabandist” dhe përmendet në akuza, qofshin zyrtare apo verbale, për orkestrimin e sulmeve në Kosovë.
"Të gjitha këto sulme që kanë ndodhur, por edhe sulmet në të ardhmen që i planifikojnë, drastikisht bie gjasa që të realizohen, nëse u dorëzohet institucioneve të Kosovës, të policisë e të drejtësisë, Millan Radoiçiç”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton REL.
Radoiçiç, përndryshe, ka një aktakuzë në Kosovë për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, e cila mes tjerash, e ngarkon me terrorizëm. Kundër tij ka edhe një fletarrestim.

Ajo që dihet është se ai gjendet në Serbi - së paku sipas autoriteteve atje. Ndaj, Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Beogradit për ta dorëzuar në Kosovë.
Serbia është duke zhvilluar po ashtu hetime kundër Radoiçiçit, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në përleshjen e armatosur që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviç, tha në fillim të këtij muaji se vendimi për të ngritur aktakuzë kundër Radoiçiçit, do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2025.
Në Serbi, Radoiçiç dyshohet për vepra të tjera penale, përkatësisht për “krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.
Pas seancës dëgjimore në Beograd, në tetor të vitit 2023, ai u la i lirë, por iu kërkua të mos dilte nga Serbia dhe të paraqitej dy herë në muaj në stacionin policor kompetent.
Se në cilin vend të Serbisë ndodhet ai, nuk është e qartë. Ministria e Brendshme serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se në cilin stacion policor lajmërohet. Thirrjeve të REL-it nuk iu përgjigj as avokati i Radoiçiçit, Goran Petronijeviç.
Kjo situatë padyshim se reflekton edhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sepse Kurti e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në këtë proces me dorëzimin e Radoiçiçit.
Në një takim me shefen e re të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, më 3 dhjetor, Kurti ka thënë se nuk ka hequr dorë nga dorëzimi i Radoiçiçit si një nga kushtet për vazhdimin e dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Një ditë më vonë, në takim me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, Kurti ka folur po ashtu për rëndësinë e arrestimit të Radoiçiçit, duke thënë se ai e ka mbështetjen e presidentit të Serbisë, Vuçiç, dhe të aparatit shtetëror atje.
Radoiçiç, prej vitesh, është nën sanksionet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar.
Në Kosovë, ai dyshohet edhe për disa vepra të tjera kriminale, përfshirë vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.
Zgjidhja përfundimtare, mesa duket, do të varet krejtësisht nga vullneti i palëve të përfshira për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në ndjekjen e drejtësisë dhe të stabilitetit.



