Debati për pr.ligjin e sponsorizimeve/ Tabaku: Përjashtimi i shoqërisë civile është keqdashësi. Balla: 3 mld lekë për sportin

Debati për pr.ligjin e sponsorizimeve/ Tabaku: Përjashtimi i shoqërisë civile është keqdashësi. Balla: 3 mld lekë për sportin

Ndër pikat e diskutimit në Kuvendin e Shqipërisë po shqyrtohet edhe projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili ka nxitur debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës përkitazi me përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe skemën e mbështetjes financiare për sportin.

 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti shqetësimin për lënien jashtë të organizatave jofitimprurëse, duke ngritur dyshime nëse këto ndryshime ligjore u përgjigjen nevojave reale të sektorit apo interesave të qeverisë.

 

“Ndryshimet bëhen për klubet apo për sportin? Bëhen duke pasur parasysh nevojat që ka qeveria apo sektori? Sepse të lësh jashtë të gjithë shoqërinë civile është keqdashësi. Shpresoj shumë të jetë nga nxitimi. Sponsorizimi i sporteve duhej bërë me kohë, por sërish nuk e zgjidh problemin që ka sot sporti shqiptar”, deklaroi Tabaku.

 

Nga ana e tij, deputeti socialist Taulant Balla, bashkëpropozues i ligjit me deputetin Erion Braçe, theksoi se projektligji synon t'i japë përparësi të veçantë sportit dhe futbollit, pa lënë mënjanë artin dhe kulturën, duke u bazuar te modelet e suksesshme evropiane si ai i Hungarisë.

 

Ai bëri të ditur se pas ndryshimeve në komision, fondi që shteti do të lerë në dispozicion për sponsorizimet arrin në 3 miliardë lekë (rreth 33 milionë euro), ndërsa i bëri thirrje deputetes Tabaku ta votojë ligjin, pasi prej tij do të përfitojë edhe klubi i futbollit Tirana.

 

“Këto janë para publike. Shteti ka vendosur që të heqë dorë nga mbledhja e një sasie të caktuar të TVSH-së, që në ndryshimet që pësoi në komision do të jetë 3 miliardë lekë, ose 33 milionë euro, dhe këto para do të jenë si referencë për të sponsorizuar aktivitete sportive. Besoj që ju, zonja Tabaku, si një tifoze e Tironës, ta mbështesni, sepse është më se e sigurt që Klubi Tirana do të jetë përfitues”, u shpreh Balla.

 

Deputeti socialist nënvizoi se sporti duhet trajtuar si një aktivitet me rëndësi publike dhe jo thjesht si sipërmarrje private, duke vënë theksin te angazhimi i fëmijëve dhe të rinjve.

 

Nga ana tjetër, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, hodhi poshtë pretendimet për përjashtim, duke theksuar se gjatë konsultimeve “janë marrë parasysh mbi 60% e komenteve të parashtruara nga organizatat e shoqërisë civile”.

 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy