Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur sot në Qytetin Studenti në Ditën e Rinisë tha se studentët ndanë epoka me lëvizjen e tyre.
Berisha kujtoi se regjimi ndonëse “me propagandë fliste çdo ditë për demokratizimin, vriste çdo javë të rinjtë”.
“Miqtë e mi, ne kemi patur një histori të dhimbshme dhe të vështirë. Në vitin 1912, u shpall pavarësia e kombit dhe liria e tij. Në vitin 1944, më 28 tetor, populli ynë u çlirua nga një pushtim i jashtëm, për të rënë po atë ditë me një pushtim të brendshëm barbar, më mizorin që kohërat kanë njohur në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Kjo diktaturë, në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Vendosi tiraninë e urisë dhe skamjes që, shqiptarët s’e kishin njohur kurrë më parë nëpërmjet hiperkolektivizmit.
Rënia e murit të Berlinit dhe revolucionet demokratike të vitit 1989, pavarësisht prej tyre, Shqipëria mbetej siç e cilësonte partia staliniste dhe diktatori i fundi, si bastioni ose kështjella buzë Adriatikut e socializmit. Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën. Pikërisht, në këto rrethana, 34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit. Rreshtojnë një seri kërkesash. Po regjimi, pavarësisht se ata nuk ishin shumë, atë natë ishin ndofta jo më shumë se sa jeni ju këtu sot”.



