
Ish-deputeti i Opozitës, Myslim Murrizi, ka depozituar sot një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) lidhur me dy tenderë në Bashkinë e Lushnjës.
Në një deklaratë për mediat, Murrizi tha se bëhet fjalë për një tender të ujitjes në ferma në Lushnje dhe tenderi tjetër për lopët.
“Është kompletuar dosja e 2013, 2017 për tenderët mbi 6 milion euro për në Divjake dhe 4.5 milionë euro për lopët e ardhura nga Danimarka. Kam ngritur padi për tenderin e uniformave të policisë pasi shqiptarët presin që këto para të hetohen.
Në kallëzimin tim kam renditur katër argumente, sa lopë kanë ardhur nga Danimarka dhe tenderi i radhitur me pika që nga sahati i ujit të qytetarëve të Divjakës deri te marrja e ujit në lumin Shkumbin. Nuk mund të tallen me 11 milionë euro taksa të qytetarëve dhe prandaj kam bërë depozitimin e kallëzimit penal. Pres që SPAK të ushtrojë detyrën e saj funksionale sepse abuzuesit e parave publike duhet të hetohen”- u shpreh Murrizi.
Kallëzimin, Murrizi e ka bërë kundër ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, ish sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kompanisë fituese ALBA Konstruksion, CURRI shpk Albania si dhe kompanisë fituese Natyral Farming shpk ( NAFA).
Deputeti i opozitës bën të ditur se bëhet fjalë për një tender me vlerë 695,678,428,64 lekë të reja me TVSH për projektin e sistemit të ujitjes në bashkinë Divjakë, për ujitjen e 2 mijë e 800 hektarëve tokë.
Gjithashtu bëhet fjalë për tenderë për blerje lopësh gjatë periudhës dhjetor 2016 – maj 2017.



