
Sot u mbushen nëntë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiç i Serbisë, nënshkruan marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.
Marrëveshja e 19 prillit përmban pika që flasin për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.
Në marrëveshje parashihej formimi i një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Do të formohet një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.
Do të ketë një komandant rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandat i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Asociacionit.
Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të t cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Me ndihmën e BE-së, nga të dy palët ishte paraparë të krijohej një Komitet i Implementimit.



