
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 votat e deputetëve të Partisë Socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, në një seancë plenare që u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të përmbajtjes së klasifikuar të dokumentit.
Mazhoranca argumentoi se marrëveshja përmban elementë që lidhen me sigurinë kombëtare dhe për këtë arsye diskutimet nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë publike, ndërsa Partia Demokratike vendosi të bojkotojë seancën, duke deklaruar se mbështet marrëveshjen në përmbajtje, por kundërshton procedurën e ndjekur për miratimin e saj.
Sipas marrëveshjes së miratuar, fondet do të përdoren për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s, ndërsa disbursimi i tyre do të bëhet në përputhje me nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë një afat prej 48 muajsh për aktivizimin e fondeve dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e huasë.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen si një hap me rëndësi strategjike për vendin, duke theksuar se ajo përforcon partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe kontribuon drejtpërdrejt në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë.
Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, e cila konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s, duke rritur kapacitetet operacionale të ushtrisë shqiptare dhe duke garantuar një nivel më të lartë sigurie për vendin në kuadër të angazhimeve të tij si vend anëtar i Aleancës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike sqaroi se qëndrimi i saj nuk lidhet me përmbajtjen e marrëveshjes, por me mënyrën se si qeveria vendosi ta kalojë atë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, pa i dhënë opozitës kohën e nevojshme për shqyrtimin e dokumentacionit.
Po marrëveshjes me SHBA, jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament. Opozita është pro kësaj marrëveshjeje, sepse ajo lidhet me forcimin e mbrojtjes dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht kërkon të njihet me tekstin e plotë të saj dhe të respektohen procedurat kushtetuese dhe rregullorja e Kuvendit, në mënyrë që vendimmarrja të jetë transparente dhe në përputhje me ligjin”, deklaroi Gazment Bardhi.
Pavarësisht bojkotit të opozitës, marrëveshja u miratua vetëm me votat e mazhorancës socialiste, duke i hapur rrugë procedurave për zbatimin e financimit amerikan për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.



