Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me historinë e Manjola Cakonit, nënës së Alesios që falë kryeministrit mori një dhuratë nga Ronaldo. Gjithsesi fatkeqësia është se Manjola humbi bashkëshortin dhe vajzën 15-vjeçare nga tërmeti i 26 nëntorit, që u mori jetën në Thumanë.
Mirëpo një ditë më parë Manjola denoncoi në televizion se nuk kishte marrë asnjë ndihmë nga qeveria dhe se nuk mund të jetonte me dhuratën e varur në murë nga Ronaldo. Pas kësaj ngjarje Manjola pretendon se vetë Rama e ka marrë në telefon dhe i ka thënë ‘turp të kesh’. Mbi gjithë këto ngjarje ka shkruar së fundmi kreu i PD, i cili thotë se ky është një akt i ulët i kryeministrit.
Sipas Bashës është kriminale që në fillim fatkeqësia u përdor për propagandë dhe më pas u harrua.
"Teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund. Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshme që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre.
Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t'u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar.
Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.
Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira.
Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre", shkruan Basha.



