
Apelit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, një ditë më parë, për lirimin e liderit të opozitës ruse i është përgjigjur homologia e saj. Në një postim në faqen e saj në Facebook, Ambasada Ruse në Tiranë shprehet se Navalni nuk përfaqëson asnjë parti politike serioze dhe është dënuar nga gjykatat e vendit të tij dhe vendet e Perëndimit e mbështetin atë me qëllim ndërlikimin e situatës së brendshme në Rusi. Duke përdorur shprehjen latine "Dura lex, sed lex" (Ligji i ashpër është ligj), Ambasada Ruse thotë më tej se vendet perëndimore kanë nisur një fushatë për njollosjen e autoriteteve ruse, duke përdorur Navalnin.
Mesazhi i Ambasadës Ruse
Në lidhje me informacionin, e postuar në faqen “Facebook” të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë më datë 23 gusht të këtij viti, për blogerin rus Aleksej Navalni dhe thirrjen në adresë të qeverisë ruse për të liruar menjëherë të ashtuquajturin “luftëtarin e lirisë” nga burgu, do të donim të përcillnim për publikun shqiptar sa më poshtë.
Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhёnia e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer.
Kujtojmë se më datë 30 dhjetor 2014 Gjykata Zamoskvoretski në Moskë, pasi shqyrtoi çështjen “Yves Rocher”, i shpalli vëllezërit Navalni fajtorë për mashtrim – krim i dënueshëm penalisht dhe dënoi me kusht Aleksej Navalnin për 3,5 vjet, ndërsa dënoi me 3,5 vjet burgim në koloni të regjimit të përgjithshëm vëllain e tij, Oleg Navalnin. Në janar të vitit 2021, pas kthimit nga Gjermania në Rusi, shtetasi rus A.Navalni u arrestua nga policia “për shkelje të shumta të afatit të provës” për të njëjtën çështje - “Yves Rocher”. Më datë 2 shkurt 2021 Gjykata Simonovski në Moskë ktheu dënimin me kusht në burgim (aktualisht ai shlyen dënimin në koloninë Pokrovskaja, rrethi i Vladimirit). Siç thuhet, «dura lex sed lex» ...
Vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”. E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate.



