Regjisori Kastriot Çipi thotë se me sistemet aktuale pabarazia po rritet duke mos pasur barazi të mundësive dhe se po shkojmë në pikën kur filluan revolucionet borgjeze. Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai deklaroi se në SHBA fëmija nuk shkon dot në shkollë të lartë, nëse nuk e mbështet familja. “Unë jam kundër asistencës sociale, por jam për mbështetjen e biznesit që të mos falimentojë. Modeli shqiptar i kapitalizmit, është fiks modeli i botës. Asgjë nuk kanë shpikur këta tanët, thjesht e kanë kopjuar. Jam kundër këtij kapitalizmi që nuk është kapitalizëm, këtu janë bankat që komandojnë, janë mbi qeveritë.” Në vijim ai tha se tregu i sigurimeve që kur ka ardhur kjo qeveri në pushtet është oligopol dhe se çmimi i policës së sigurimit është njëlloj kudo që ta bësh.



