
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shprehur sot mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit që mes plumbave mbrojtën të moshuarit në Fier që tentuan të grabisin një familje. Në fjalën e tij gjatë takimit me punonjësit e Policisë së Shtetit numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se kjo ngjarje e rrezikshme le të bëhet mësim për këdo që mund të guxojë të drejtojë armën kundër punonjësit të policisë.
”Kjo ngjarje e rrezikshme le të bëhet mësim për këdo që mund të guxojë të drejtojë armën kundër punonjësit të Policisë së Shtetit. Çdo kriminel që e përfytyron një gjë të tillë, pa asnjë diskutim do të duhet të përballet, në zbatim të ligjit, me reagimin flakë për flakë të oficerëve profesionistë të policisë. Koha kur kriminelët që çonin dorë kundër policëve dhe s’u hynte gjemb në këmbë, ka përfunduar. Ne duam një polici të ndershme dhe profesionale e aftë të mbrojë edhe veten kur ajo kërcënohet nga krimi. Kështu, kjo polici jep e transmeton besimin e duhur edhe tek qytetari i thjeshtë. Një polici kurajoze, e përgatitur profesionalisht dhe e gatshme për të reaguar edhe në situata aspak normale siç ishte edhe kjo ngjarje, ku patrulla e policisë u përball me një zjarr të dendur nga disa kriminelë të pamëshirshëm”, tha Xhafaj.
Më tej gjatë fjalës së tij, Xhafaj deklaroi se si ministër i Brendshëm, përfitoj nga rasti për të shfaqur vlerësimin maksimal për ndërhyrjen e menjëhershme dhe efikase të kësaj skuadre policie, e cila ishte duke vigjëluar në mbrojtje të ligjit e sigurisë publike, edhe në një orar krejt të pazakontë, në mesnatë.
Pak ditë më parë në Fier, gjatë një tentative grabitje, policia tentoi të ndalonte disa hajdutë që po tentonin të vidhnin një banesë dhe nga u përplasë me armë u vra nga policia 20 vjeçari Xhuliano Sollaku.



